Pas një seance akupunkture, shumë pacientë ndihen më të lehtë, më të qetë ose me më pak dhimbje. Kjo është një shenjë e mirë, por nuk do të thotë se trupi është gati të kthehet menjëherë në ngarkesë të rëndë, stres ose ekspozim të fortë ndaj të ftohtit dhe erës.
Në ChiTerapi, këshilla jonë më e thjeshtë është kjo: pas akupunkturës, mos e testoni menjëherë trupin vetëm sepse ndiheni më mirë.
Akupunktura punon me trupin në një mënyrë të butë, por të thellë. Nga këndvështrimi i Mjekësisë Tradicionale Kineze, trajtimi ndihmon qarkullimin e Chi dhe Gjakut, çliron bllokimet në kanale dhe e drejton trupin drejt një gjendjeje më të rregulluar. Pikërisht për këtë arsye, pas seancës është mirë t’i jepet trupit pak kohë që ta mbajë dhe ta përpunojë këtë ndryshim.

Pse ka rëndësi kujdesi pas akupunkturës?
Akupunktura është shumë pak invazive. Në shumicën e rasteve, pas saj nuk nevojitet një listë e gjatë ndalesash. Pacienti mund të vazhdojë ditën normalisht, por me më shumë kujdes ndaj trupit.
Megjithatë, pas seancës trupi nuk është thjesht “si më parë”. Shpesh muskujt janë më të relaksuar, sistemi nervor më i qetë dhe dhimbja mund të jetë ulur. Në gjuhën e Mjekësisë Kineze, Chi dhe Gjaku kanë filluar të lëvizin më lirshëm dhe trupi është më i hapur ndaj rregullimit.
Kjo është pikërisht arsyeja pse nuk duhet të nxitoheni. Kur trupi fillon të lirojë tensionin, gjëja më e mirë që mund të bëni është të mos e ngarkoni menjëherë përsëri.
Shmangni stërvitjen e rëndë të njëjtën ditë
Një nga këshillat më të rëndësishme pas akupunkturës është të shmangni stërvitjen e rëndë në të njëjtën ditë.
Kjo nuk do të thotë se duhet të qëndroni pa lëvizur. Një ecje e lehtë, lëvizje të buta ose aktivitet normal i përditshëm zakonisht mund të jenë në rregull. Por palestra e rëndë, vrapi intensiv, ngritja e peshave, sporti i fortë ose puna fizike e rëndë mund ta mbingarkojnë trupin shumë shpejt.
Nga këndvështrimi i Mjekësisë Kineze, trajtimi ka filluar të rregullojë lëvizjen e Chi dhe Gjakut. Stërvitja e fortë menjëherë pas seancës mund ta shpërndajë këtë qetësim dhe ta kthejë trupin në tension.
Kjo është veçanërisht e rëndësishme kur trajtohet dhimbja e mesit, shiatiku, dhimbja e gjurit ose tensioni muskulor.
Mos e testoni dhimbjen menjëherë
Një gabim shumë i zakonshëm është ky: pacienti ndihet më mirë pas seancës dhe menjëherë provon të bëjë pikërisht atë lëvizje ose aktivitet që zakonisht i shkakton dhimbje.
Kjo është shumë e kuptueshme. Kur dhimbja ulet, pacienti do të dijë nëse “ka kaluar”. Por trupi nuk duhet provokuar menjëherë. Lehtësimi pas akupunkturës është një mundësi për rikuperim, jo një ftesë për të shtyrë kufijtë.
Në vend që ta pyesni trupin “a mund ta përballosh tani?”, më mirë jepini disa orë qetësi dhe shihni si ndihet më vonë ose ditën tjetër.
Shembull nga praktika: kur ecja u bë shumë shpejt
Kjo ndodh më shpesh nga sa do të donim. Një pacient erdhi në ChiTerapi për dhimbje shiatiku. Pas trajtimit u ndje shumë më mirë dhe të nesërmen vendosi të dilte për një ecje të gjatë.
Gjatë ecjes u ndje mirë, por kur u kthye në shtëpi, dhimbja e shiatikut filloi të ndihej përsëri. Fatmirësisht, pacienti e kuptoi gabimin dhe nuk e përsëriti më. Me vazhdimin e seancave dhe me më shumë kujdes pas trajtimit, rezultatet u përmirësuan shumë.
Ky shembull tregon një gjë të rëndësishme: fakti që dhimbja ulet nuk do të thotë se nervi, muskujt dhe sistemi nervor janë gati për ngarkesë të madhe menjëherë.
Shmangni të ftohtin, erën dhe ndryshimet e papritura të temperaturës
Në Mjekësinë Tradicionale Kineze, pas trajtimit trupi konsiderohet më i hapur ndaj ndikimeve të jashtme. Për këtë arsye, pas akupunkturës rekomandohet të shmanget ekspozimi i menjëhershëm ndaj të ftohtit, erës së fortë dhe ndryshimeve të papritura të temperaturës.
Kjo është sidomos e rëndësishme kur trajtohen dhimbje muskulore, tension në qafë dhe shpatulla, dhimbje mesi, shiatik ose gjendje ku pacienti ndihet i lodhur, i dobët ose i ftohtë.
Pas seancës, shmangni:
- qëndrimin në erë të fortë;
- ajër të kondicionuar shumë të ftohtë direkt mbi trup;
- dush shumë të ftohtë menjëherë pas trajtimit;
- daljen me trup të djersitur në të ftohtë;
- ekspozimin e zonës së trajtuar ndaj të ftohtit.
Kjo nuk do të thotë të keni frikë nga ajri i kondicionuar ose nga dalja jashtë. Do të thotë thjesht të mos i jepni trupit një stimul të fortë menjëherë pas një trajtimi që synon qetësim, çlirim dhe rregullim.

Pini ujë dhe hani lehtë
Pas akupunkturës, rekomandojmë të pini ujë dhe të mos e ngarkoni trupin me ushqim shumë të rëndë menjëherë.
Nga këndvështrimi i Mjekësisë Kineze, trupi pas trajtimit ka nevojë të ruajë një qarkullim të qetë dhe të mos rëndohet menjëherë nga ushqim shumë i rëndë, lodhje ose nxitim.
Një vakt i lehtë është zakonisht më i përshtatshëm se një ushqim shumë i rëndë. Kjo është veçanërisht e dobishme kur pacienti ka ardhur i lodhur, i tensionuar, pas një dite të gjatë pune, gjatë vapës, ose kur trajtimi ka qenë shumë relaksues.
Mos u ktheni menjëherë në stres
Akupunktura shpesh e zhvendos trupin drejt një gjendjeje më të qetë. Disa pacientë e ndiejnë këtë si relaksim, frymëmarrje më të lirë, kokë më të qartë, trup më të lehtë ose përgjumje të butë.
Pas seancës, sa më shumë të jetë e mundur, shmangni kthimin e menjëhershëm në stres intensiv: telefonata të vështira, punë të rëndë mendore, nxitim, debat ose ngarkesë emocionale.
Sigurisht, jeta nuk ndalon pas akupunkturës. Por edhe 20–30 minuta më të qeta pas seancës mund ta ndihmojnë trupin të ruajë më mirë efektin e trajtimit.
Për të kuptuar më mirë pse trupi ndonjëherë qetësohet kaq shumë gjatë akupunkturës, mund të lexoni edhe artikullin: Çfarë ndodh në trup gjatë akupunkturës?
Çfarë është normale pas akupunkturës?
Disa reagime pas seancës janë normale dhe shpesh tregojnë se trupi po i përgjigjet trajtimit.
Mund të ndieni:
- përgjumje ose dëshirë për të pushuar;
- lodhje të lehtë;
- ndjesi ngrohtësie;
- dhimbje shumë të lehtë ose ndjeshmëri në disa pika;
- relaksim të thellë;
- çlirim emocional;
- gjumë më të thellë atë natë.
Në Mjekësinë Kineze, këto mund të kuptohen si shenja që trupi po kalon nga gjendja e tensionit drejt një gjendjeje më të lirë dhe më të rregulluar. Chi dhe Gjaku fillojnë të lëvizin më mirë, tensioni bie dhe trupi kërkon pak pushim për ta integruar këtë ndryshim.
Te disa pacientë, shenjat e përmirësimit nuk duken vetëm te dhimbja. Mund të duken te gjumi, energjia, qetësia, lëvizja ose mënyra si trupi reagon ndaj stresit. Për këtë temë mund të lexoni edhe: Si ta kuptosh që akupunktura po funksionon?
Mos i kruani pikat e trajtimit
Pas akupunkturës, zakonisht nuk mbetet asgjë për t’u kujdesur në lëkurë. Megjithatë, nëse ndieni një pikë të vogël ndjeshmërie, mos e kruani dhe mos e irritoni zonën.
Pikat ku janë vendosur gjilpërat duhet të lihen të qeta. Kjo është një këshillë e thjeshtë, por e rëndësishme: mos e prekni, mos e kruani dhe mos e fërkoni fort zonën menjëherë pas seancës.
Kur duhet të na kontaktoni?
Kur akupunktura bëhet me kujdes dhe me teknikë të duhur, reagimet e forta janë të rralla. Megjithatë, pacientët tanë duhet të ndihen gjithmonë të lirë të na kontaktojnë për çdo shqetësim.
Në ChiTerapi, preferojmë që pacienti të pyesë edhe për diçka të vogël, sesa të rrijë me merak në shtëpi.
Na kontaktoni nëse keni:
- dhimbje të fortë që nuk qetësohet;
- marramendje të fortë ose ndjesi të fikëti;
- ënjtje të pazakontë;
- skuqje, nxehtësi ose shenja irritimi që përkeqësohen;
- gjakderdhje që nuk ndalet;
- çdo ndjesi që ju shqetëson dhe nuk ju duket normale.
Kjo nuk do të thotë se këto ndodhin zakonisht. Përkundrazi, janë të rralla. Por komunikimi është pjesë e kujdesit dhe ne jemi të lumtur të ndihmojmë pacientët me çdo pyetje pas seancës.

A ndryshon kujdesi kur bëhen edhe kupa ose Gua Sha?
Po. Pas akupunkturës së thjeshtë, kujdesi është zakonisht më i lehtë dhe lidhet më shumë me pushimin, ambientin dhe shmangien e ngarkesës së menjëhershme.
Por kur trajtimi kombinohet me kupa të thata, Gua Sha ose teknika të tjera që punojnë më fort mbi sipërfaqen e trupit, kujdesi pas seancës bëhet më i rëndësishëm.
Në Mjekësinë Kineze, këto metoda punojnë më dukshëm në nivelin e sipërfaqes, lëkurës, qarkullimit lokal dhe çlirimit të tensionit. Prandaj trupi duhet mbrojtur më shumë nga era, i ftohti, dushi i fortë, noti dhe stimulimet e tjera menjëherë pas trajtimit.
Në këto raste, zakonisht këshillohet të shmangni për pjesën tjetër të ditës:
- dushin shumë të nxehtë ose shumë të ftohtë;
- notin ose pishinën;
- ekspozimin ndaj erës dhe të ftohtit;
- stërvitjen e rëndë;
- fërkimin e fortë të zonës ku janë bërë kupat ose Gua Sha.
Kjo ndodh sepse pas kupave ose Gua Sha-s, lëkura dhe indet sipërfaqësore kanë marrë më shumë stimulim sesa gjatë akupunkturës së zakonshme. Trupi ka nevojë për pak kohë që ta përpunojë trajtimin pa stimuj të tjerë të fortë.
Shembull nga praktika: kur pushimi ndihmoi rezultatin
Një shembull shumë i mirë ishte një pacient rreth 70 vjeç, pronar dhe kamerier i vetëm i një lokali. Ai erdhi në ChiTerapi me dhimbje gjuri, por kishte një problem praktik: puna e tij kërkonte shumë qëndrim në këmbë.
Edhe pse kishte biznes për të mbajtur, ai i dëgjoi me shumë kujdes këshillat pas trajtimit. Reduktoi orët e punës, uli kohën në këmbë, pushoi pjesën tjetër të ditës dhe madje e mbylli lokalin për një ditë që të rikuperohej siç duhet.
Kjo i dha mundësi trupit të ndiente ndryshimin nga seanca në seancë. Ai fitoi më shumë besim te procesi dhe pas 6 seancash pati rezultat shumë të mirë, me shumë kënaqësi nga trajtimi.
Ky rast tregon se kujdesi pas seancës nuk është detaj i vogël. Ndonjëherë është pikërisht ajo që e ndihmon trupin të mos e humbasë përmirësimin e arritur gjatë trajtimit.
Çfarë duhet të mbani mend?
Pas akupunkturës, gjëja më e rëndësishme është të mos e ngarkoni trupin menjëherë vetëm sepse ndiheni më mirë. Lehtësimi është shenjë e mirë, por trupi ka ende nevojë për kohë që ta integrojë trajtimin.
Pini ujë, hani lehtë, pushoni pak, shmangni stërvitjen e rëndë të njëjtën ditë, mos u ekspozoni menjëherë ndaj të ftohtit ose erës, mos i kruani pikat e trajtimit dhe mos u ktheni direkt në stres të fortë.
Nëse keni pasur akupunkturë të kombinuar me kupa, Gua Sha ose trajtime më intensive, ndiqni me kujdes këshillat specifike që ju jepen në klinikë.
Për një pamje më të plotë të procesit, mund të lexoni edhe artikullin: Çfarë të presësh gjatë seancës së parë të akupunkturës.
Trajtimi nuk mbaron gjithmonë në momentin që hiqen gjilpërat. Ndonjëherë rezultati ruhet nga mënyra si e trajtoni trupin në orët pas seancës.